Parkimi, “biznesi” miliona euro i Bashkisë

Parkimi me pagesë është kthyer në një nga burimet kryesore të të ardhurave në Bashkinë e Tiranës. Kjo e fundit, sipas një raporti të financave vendore është edhe mbledhësja më e mirë e tarifave të parkimit, krahasuar me bashkitë e tjera.

Në vitin 2017, ndërmjet kontratave të parkimit dhe biletave të shitura në rrugët dhe sheshet e parkimit, Bashkia arkëtoi plot 338 milionë lekë. Kjo shifër është pothuajse dyfishi i shumës së mbledhur në 2016-ën, ndërsa pritshmëritë rriten vit pas viti. Vetëm në tre muajt e parë të 2018-ës, parkimi i siguroi Bashkisë 105 milionë lekë, ndërsa për të gjithë vitin ishin të planifikuara 450 milionë lekë të ardhura.

Në këto llogari nuk përfshihen gjobat për parkim të gabuar, që vjet arritën të paktën 196 milionë lekë. Mes numrit të kufizuar, sistemit sipas zonave të banimit dhe tarifës prej 100 lekësh në orë, duket se parkimi është kthyer në një biznes për bashkinë dhe një komoditet për qytetarët, që u mbetet të enden për të gjetur një vend të lirë.

Vendparkimet në Tiranë, qytetarët: Shtrenjtë dhe të kufizuara

Qytetarët shprehen se është shumë e vështirë për të gjetur vend parkime në Tiranë. Sipas tyre një nga problemet është planifikimi urban, ndërsa parkimi publik me pagesë është shumë i shtrenjtë për xhepat e tyre. Të pyetur nga A2 CNN, qytetarët mendojnë se duhen shtuar vendet e parkimit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN