Pas Kupës, Interi mundet edhe në kampionat

Një gol i Federico Santander në minutën e 32-të ka mjaftuar që Bologna t’i shkaktojë Interit humbjen e dytë brenda katër ditësh. Pas eliminimit nga Kupa e Italisë duke u mundur me penallti nga Lazio, zikaltrit e Spallettit nuk arritën të merrnin asnjë pikë kundër Bolognas në “San Siro”

Sulmuesi paraguaian u tregua i saktë pasi mori një top fantastik nga goditja e këndit dhe thuajse në pikën e penalltisë goditi në cepin e majtë të sipërm të portës së mbrojtur nga Handanovic.

Vendasit u përpoqën përgjatë gjithë pjesës së mbetur për të ndryshuar rezultatin, por nuk arritën të shënonin qoftë edhe një gol barazimi.

Mauro Icardi pati një mundësi të mirë dy minuta nga fundi i pjesës së parë, por portieri Lukasz Skorupski realizoi një pritje të mrekullueshme duke i mohuar golin. Në pjesën e dytë ishin Martinez, Perisic dhe Ranocchia që provuan të kalonin portierin e Bolognas, por pa sukses, duke bërë që rezultati të mbetet i pandryshuar deri në fund.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN