Real “ngroh motorët” para sfidës me Barcelonën

Real Madrid shfrytëzoi më së miri humbjen e Atletico Madrid gjatë pasdites, pasi mundi 3-0 Deportivo Alaves dhe tani ndodhet vetëm dy pikë larg bardhekuqve të vendit të dytë, ndërsa Barcelona kryeson me tetë pikë më shumë.

Para sfidës me katalanasit në mesjavë për Kupën e Mbretit, skuadra e Santiago Solarit nuk luajti në maksimumin e saj, por realizoi 3 gola me Benzema, Vinicius Junior dhe Mariano Diaz, për të mbyllur llogaritë me Alaves dhe për të marrë tri pikët.

Sulmuesi francez ishte shumë aktiv që në fillim të lojës, por mundi të shënonte vetëm në të 30’, kur e pati të lehtë të dërgonte në portë topin pas pasimit të saktë të Sergio Reguilon.

Alaves u përpoq të ndryshonte fatin e ndeshjes në pjesën e dytë, por diferencat në fushë ishin të dukshme. Bale mund të kishte dyfishuar rezultatin pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, por duhet të vinte minuta e 80 që Real të gjente qetësinë, kur Vinicius Junior goditi saktë pas një kombinimi të bukur me Marco Asension.

Në fund shënoi edhe zëvendësuesi Mariano, i cili kërceu mbi mbrojtësit kundërshtarë pas krosimit të Odriozolas dhe realizoi golin e tretë të madrilenëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN