Ermonela Jaho si asnjëherë më parë, “Traviata” është një triumf

Sopranoja shqiptare më e duartrokitur, Ermonela Jaho, luan për të 256-ën herë ‘La Traviatën’ e famshme të Verdit në Royal Opera House. Edhe këtë herë ajo ka shkëlqyer duke u bërë kështu një emër i njohur në teatrot operistike botërore, edhe si Violeta, personifikimi dhe konturi i këtij karakteri që duket sikur është shkruar për të.

 “Violeta është një kurtizane, është në karakterin e saj që të jetë një femër e bukur, e veshur me fustane të jashtëzakonshme, që tërheq vëmendjen e të gjithë meshkujve që e rrethojnë. Ajo di ta jetojë jetën, mes festave, e një ditë përballet me Alfredon… këtu magjia e ‘la Traviatës’ është e pashpjegueshme, sepse nuk qëndron vetëm te notat muzikore, por edhe te emocionet që ndjejnë personazhet”, rrëfen sopranoja shqiptare.  

Në fund të shfaqjes Violeta mbetet vetëm. Është në prag të vdekjes, dhe Ermonela Jaho ia del të emocionojë skenën me zërin e saj dhe të fitojë nga publiku duartrokitje, ndonëse fundi i ‘la Traviatës’ nuk është aspak mister.

Royal Opera House ka publikuar një video ku Ermonela shihet e dërrmuar, por si një artiste e madhe që jep gjithë energjinë e saj dhe gjen forcën të falënderojë publikun e saj.

Christiane Amanpour me Ermonela Jahon

Edhe gazetarja e njohur e CNN, Christiane Amanpour, ka shfaqur admirimin e saj për sopranon shqiptare, Ermonela Jaho. Përmes postimit të një fotografie në Instagram, Amanpour ka treguar se ishte mahnitur me performancën e Jahos.“Prapa skenave gjatë këtij vikendi dhe e mahnitur nga Ermonela Jaho, sopranoja brilante shqiptare që luajti Violetta-n në historinë tragjike të Verdit, La Traviata” ishte shkrimi i Amanpour.

Shfaqja u ndoq live në të gjitha kinematë botërore mbrëmjen e 30 janarit, por kritikët vazhdojnë të shkruajnë për jehonën e shqiptares Ermonela Jaho.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN