Gripi, mjekët sqarojnë: Mos e nënvlerësoni, drejtohuni pa panik drejt qendrave shëndetësore

Shkurti është muaji kur zakonisht virusi i gripit shënon pikun e tij. Por ajo që e bën situatën alarmante është numri i personave që kanë humbur jetën nga gripi i cili ka shkuar në tre në këtë fillim muaji.

Për situatën aktuale dhe për mënyrën si ta parandalojmë, ishin sonte në studiot e A2 Najada Çomo mjeke infeksioniste në spitalin infektiv në QSUT dhe pediatrja Erma Çobaj.

Najada Çomo duke nënvizuar faktin që “mbrojtja ndaj gripit është e vështirë, do të duhej një emancipim i madh i popullsisë për të dalë me maska”, thekson faktin që në të vërtetë jemi vetëm “në hyrje të epidemisë së gripit, në atë që quhet grip sezonal,  muaji i ngrohtë i dhjetorit ishte në disfavor të sëmundjes, por janari shënoi shtimin  e numrit të rasteve”.

Infeksionistja e QSUT-së vlerëson vëmendjen e opinionit publik ndaj një virusi që po u nënvlerësua në disa raste “mund të jetë me pasoja vdekjeprurëse” edhe pse rastet e vdekjes të këtyre ditëve mund t’i referohen edhe “sëmundjeve kronike” që shoqërojnë pacientët e infektuar.

Gjithsesi, ajo shton se edhe pse mediatikisht “termi gripi i derrit godet fantazinë, në fakt 99% i gripit ka si origjinë virusin A”.

Sipas saj, në qoftë se kalohet harku kohor i 5 ditëve me temperaturë të lartë, është mirë të behet një kontroll mjekësor. Dhe jo domosdoshmërish në spital.

Këtë e thekson edhe pediatrja Erma Çobaj, e cila punon në një qendër shëndetësore të rëndësishme si ajo nr.10 në kryeqytet. Sipas saj, pikërisht qendrat shëndetësore nënvlerësohen sidomos nga prindërit kur në të vërtetë  ofrojnë tashmë “shërbim të specializuar 24 orë, prindërit nuk kanë nevojë të çojnë fëmijët në spital me shenjat e para të gripit”.

Doktoreshat sqarojnë edhe disa “mite” që shoqërojnë gripin, ku këshillojnë tek fëmijët marrjen e substancave si ibuprofeni dhe paracetamoli, dhe jo aspirinën, dhe sigurojnë se vaksinat që shërbehen falas në institucionet shtetërore janë të cilësisë së lartë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN