Laboratori i drogës në Has, sekuestro pasurive të Admir Hoxhës – A2

Laboratori i drogës në Has, sekuestro pasurive të Admir Hoxhës

Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë vendimin ditën e sotme për sekuestrim personal pasuror dhe sekuestros preventive për pasuritë e paluajtshme të shtetasit nën hetim Admir Hoxha.

Admir Hoxha dyshohet si pronari i laboratorit të drogës të zbuluar në Has në fundin e vitit të kaluar.

Gjykata vendosi të sekuestroi : -Bar – Restorant -Hotel “ Resort Ador” sipërfaqe 3320 m2, me katër kate bar restorant, parking dhe hotel , në Rinas Tiranë, si dhe bllokimin e aseteve.

-Automjeti tip Audi  me targe  AA111MP.

Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal të vitit 2016, për  kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale  nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a dhe 334 i K.Penal, procedim penal i regjistruar mbi bazën e akteve të referuar nga Komisariati i Policisë Kavajë.

Nga aktet e referuara nga Shërbimi i Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë kanë rezultuar të dhëna për një grup personash të paidentifikuar, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohej se trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë, si dhe trafikonin lëndë narkotike të llojit heroinë nga vendet e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

“Hetimet treguan se një grup personash, banorë në qytetet të ndryshme të vendit, vepronin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve, si dhe dispononin pasuri të paluajtshme, të cilat dyshohet se janë produkt i  veprave penale.

Gjatë hetimit po ashtu ka rezultuar se pjesëtar të këtij grupi kriminal kryenin edhe vepra penale të tjera, si korrupsioni në sektorë të publik të ndryshëm, si hipotekë, polici, bashki dhe në institucione të tjera të administratës shtetërore.  Pasuritë e shtetasit Admir Hoxha dyshohet se janë vendosur nga të ardhurat e krijuara nga aktiviteti  kriminal dhe bazuar në nenet 274, 275, 276, të Kodit Penal dhe neni 36 të   Kodit të Procedurës Penale.nenin  11 të ligjit Nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë””, thuhet në njoftim.

Shkarkoni aplikacionin e A2