Haradinaj kritikon BE: Trepça, jo pjesë e dialogut – A2

Haradinaj kritikon BE: Trepça, jo pjesë e dialogut

Serbia shantazhon Kosovën. Akuza është lëshuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj gjatë një konferencë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë. Shefi i ekzekutivit të Prishtinës ripërsëriti edhe njëherë se taksa kundër mallrave serbe nuk hiqet deri në njohjen e pavarësisë nga Serbia.

 “Është e papranueshme të kushtëzohet dialogu, dialogu duhet të kthehet, nuk humb vetëm Kosova pa dialog, por edhe rajoni. Taksa do të mbetet deri në njohje, besoj për këtë nuk keni dilema më. Serbia po bën shantazh të pastër. Thotë se nuk vjen në dialog pa e hequr taksën. Nuk kthehemi në dialog me shantazhe, ato nuk janë as kushte, po shantazhe, Serbia po bënë shantazhe.”, deklaroi kryeministri kosovar.

Ai pati kritika të forta ndaj Bashkimit Evropian lidhur me komentet e zëdhënëses, Maja Koçijançiç, sa i përket statusit të minierës së Trepçës. Haradinaj nënvizoi se kjo është temë e zgjidhur pasi miniera i takon Kosovës dhe nuk duhet të përfshihet në dialog, në të kundërt do të destabilizojë rajonin.

Më herët, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, vendosi edhe Trepçën si kusht për vazhdimin e dialogut. Ai tha se ngërçi aktual tejkalohet vetëm kur Kosova të heqë dorë nga taksa dhe ndryshimi i statusit të minierës së Trepçës.

Shkarkoni aplikacionin e A2