Miratohet dekreti i Metës për ligjin e kadastrës, por ka sërish përplasje – A2

Miratohet dekreti i Metës për ligjin e kadastrës, por ka sërish përplasje

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dekretin e Presidentit Meta për kthim për rishqyrtim të ligjit për kadastrën.

Gjatë arsyetimit të vendimit para komisionit, këshilltari i Presidentit për çështjet ligjore, Bledar Dervishaj, tha se ligji krijon tension kushtetues, pasi Kadastra i kalon në varësi Kryeministrit dhe kjo bie në kundërshtim me kodin civil, pasi regjistri i pronave administrohet nga Ministria e Drejtësisë.

“Caktimi i titullit të pronësisë nuk mund të jetë kurrsesi kompetencë e kadastrës. Mund të korrigjojë vendimet e ALUIZNIT, por kurrsesi ato të komisionit të kthimit të pronave”, tha Dervishaj.

Por, edhe pse dekreti i Presidentit u miratua nga të dy palët, nuk munguan debatet për një sërë amendamentesh që ishin bërë në projektligj, që preknin rreth 30% të tij. Ndryshimet e bëra ishin në nenet që prekin afatin kohor të ligjit, pasi me kthimin mbrapsht të ligjit nuk ishte më e mundshme hyrja në fuqi e tij brenda datës 1 shkurt 2019.

Nga ana e opozitës pati pretendime se po shkelej kushtetuta, pasi me miratimin e dekretit, ligji quhet i shfuqizuar. “Ligji duhet t’i kthehet nismëtarëve dhe duhet bërë nga e para”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.

“Ndryshimet që u sollën sot preknin një pjesë të madhe të ligjit. Në total ai ka 75 nene dhe nuk ndryshohet në këtë mënyrë 1/3 e ligjit. Këto ndryshime do të duhet që të na ishin bërë të njohura, por kjo nuk ka ndodhur”, tha Silva Caka, deputete e LSI, për A2 CNN. “Pasi të ishin rregulluar të gjitha problematikat që kishte evidentuar dekreti i Presidentit, mund të bëheshin ndryshimet e reja”.

Shkarkoni aplikacionin e A2