Policia pranë zbardhjes së vrasësve të Arben Bilalit

Pak ditë nga gjetja e automjetit të atentatorëve të Arben Bilalit, hetuesit kanë arritur të mbledhin prova të mjaftueshme për të bërë të mundur identifikimin e tyre. Në brendësi të makinës e cila u gjet rreth 1 orë pas ngjarjes së rëndë e braktisur në zonën e Mjull-Bathores hetuesit sekuestruan dhe armën e krimit një tip kallashnikov.

Burime pranë policisë thanë se në brendësi të makinës Benz CLS ka dhe gjurmë gishtërinjsh por edhe prova të cilat janë dërguar në laboratorin shkencor për verifikim. Për sa i përket pronësisë së mjetit hetuesit thanë se edhe mjeti ashtu si dhe traget janë të vjedhura.

Gjurmët, por edhe disa dokumente në brendësi të bagazhit kanë çuar hetuesit në Kosovë aty ku dhe dyshohet se makina është vjedhur. Pasi kishin arritur të kryenin vrasjen, autorët u larguan në drejtim të Lundrës, por pa vajtur te rrethrrotullimi i qendrës tregtare ata kanë ndeshur përballë Forcën e Posaçme Operacionale të policisë që po kryente në atë kohë një operacion antidrogë për llogari të Prokurorisë Durrës ku u kapën 5 kg heroinë dhe u arrestuan 3 persona.

Pasi kanë menduar se ndiqeshin nga policia ata braktisën makinën dhe armën e krimit. Gjatë kontrollit të policisë veç të tjerave u gjetën dhe plumba.

Arben Bilali u ekzekutua me 14 plumba pranë banesës së tij në zonën e “Selitës” në Tiranë. Ngjarja dyshohet të jetë kryer për hakmarrje ndërsa Bilalit më herët përgjatë viteve 1998 dhe 2010 i kanë vrarë dhe dy vëllezër të tjerë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN