Populli në mjerim, ata në luks… jeta e elitës socialiste të Venezuelës

Tufa me dollarë në duar, poza me yjet e muzikës dhe pamje nga dhomat e hoteleve më të shtrenjtë të botës, fëmijët e pasur të elitës socialiste të Venezuelës duket se janë tërësisht të shkëputur nga mjerimi që ka kapur pjesën tjetër të vendit.

Vajza e liderit të revolucionit socialist Hugo Chavez, Maria Gabriela, flitet se është gruaja më e pasur e Venezuelës, me një pasuri personale që llogaritet të jetë më shumë se 4 miliardë dollarë, të fshehura në llogari bankare në Europë.

38-vjeçarja e vuri pasurinë ndërsa bënte rolin e Zonjës së Parë të babait të saj, pasi ai ishte divorcuar nga gruaja e dytë. Por me sa duket Gabriela dhe trashëgimtarët e tjerë të elitës socialiste të Venezuelës duket se e kanë harruar moton e Chavezit, “të jesh i pasur është gjë e keqe”.

Ndërsa ajo ka fituar imunitet pasi është emëruar ambasadore e vendit në OKB, motra e saj e vogël është larguar nga vendi kur pasuria e tyre u zbulua për herë të parë. Pak orë pasi një foto e saj duke mbajtur në duar një tufë më dollarë u publikua, Rosines Chavez mori avionin për në Paris e tashmë 21-vjeçarja vazhdon jetën studentore në Sorbone, ndërkohë që mësuesit në Venezuelë po punojnë praktikisht falas për shkak të hiperinflacionit.

Akuzave nuk mund t’i shpëtonte edhe Nicolas Maduro, presidenti që është përfshirë në një përballje madhore kundër SHBA dhe Bashkimit Europian, ndërsa mbështetet nga Rusia, Irani dhe Turqia. Pikërisht në Stamboll, Presidenti është fotografuar në një banket ku ishte i pranishëm edhe shefi turk i kuzhinës “Salt Bae”.

Pak muaj më parë dy thjeshtërit e Chavez, Yoswal Gavidia Flores dhe Walter Gavidia Flores u fotografuan në hotelin Ritz në Paris, ku një dhomë kushton 591 dollarë nata. Flitet se ata shpenzuan atje 45 000 dollarë, një faturë e barabartë me rrogën mujore të 2000 venezuelasve.

Edhe pse djali i Presidentit Maduro, Nicolacito, ka mudur të mbajë një profil të ulët publik, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për zëvendësin e tij, Disodado Cabello, i cili ka tërhequr edhe vëmendjen e DEA-s. Vajza e tij Daniela nuk fshihet aspak ndërsa tregon jetën e luksit bashkë me të dashurin e saj, këngëtarin e muzikës latine, Omar Acedo.

Goditjen më të madhe, elita socialiste e Venezuelës e mori në vitin 2017, kur nipat e Zonjës së Parë Cilia Flores u dënuan me 18 vjet burg pasi u përpoqën të fusnin ilegalisht në SHBA nga Haiti kokainë me vlerë 20 milionë dollarë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN