Rusia kërcënon SHBA: Raketa e re përpara vitit 2021

Braktisja e Traktatit për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme nga Rusia dhe SHBA rihapi garën për armët e shkatërrimit në masë. Moska synon të zhvillojë dy lloje raketash tokësore hipersonike përpara vitit 2021, si kundërpërgjigje ndaj Uashingtonit.

Njoftimi është bërë nga ministri i mbrojtjes rus Sergei Shoigu, i cili shtoi se “Shtetet e Bashkuara po punojnë për krijimin e një rakete tokësore me rreze mbi 500 kilometra, pra jashtë limiteve të traktatit për armët bërthamore. Prandaj presidenti i Rusisë dha urdhrin për të marrë masa reciproke”.

Ministri i mbrojtjes rus Sergei Shoigu

Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi gjatë fundjavës se do të zhvillonte raketa të reja bërthamore në kundërpërgjigje të tërheqjes së SHBA nga pakti bërthamor.

Uashingtoni ndërmori këtë veprim pasi akuzonte Moskën se ka shkelur traktatin ndërkombëtar duke zhvilluar armë të reja të shkatërrimit në masë. Dyshohet se Kremlini ka zhvilluar në fshehtësi deri në 100 raketa bërthamore me rreze të gjatë, gjë e cila ishte e ndaluar nga Traktati.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN