Topi: Politika globale nuk bëhet në Shqipëri dhe në Kosovë

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën ishin një tjetër temë ku ish presidenti shqiptar Bamir Topi u ndal në intervistën  e tij në A2.

Duke filluar nga kriza institucionale e gjeneruar nga mos dekretimi i Gent Cakajt si Ministër i Jashtëm.

Topi rikthehet me memorien në 2011, në kohën kur dekretoi ministër të Drejtësisë “kundërshtarin” Eduard Halimi që aq shumë e kishte sulmuar në komisionin për faktet e 21 janarit.   Kjo, se sipas tij “ka një rregull kushtetues, në qoftë se personi në fjalë i plotëson parametrat për deputet, apriori duhet të marrë dekretin”.

Por në rastin e Cakajt diçka ndryshon. Për të emërimi ishte një “tekë” e Ramës,  që pak kishte të bënte me Kosovën dhe  që vazhdon me lidershipin e Cakajt në ministrinë e Jashtme pas një “veprimi akrobatik dhe plot mllef të Pajustifikuar të kryeministrit” ndaj arsyeve të presidentit Meta për mos dekretim.

Por sipas Topit Ministri i jashtëm që duhet të drejtonte vendin në sfidat që e presin në muajt në vijim duhet të menaxhoheshin nga një figurë me staturë politike dhe diplomatike më të lartë se Cakaj, i cili mbetet, përtej cilësive personale, “një gurë shahu i Ramës”.

Sipas Topit, politika në Kosovë mbetet e ndikuar nga politika e Tiranës, madje e “shtrembëruar nga virusi i politikës të shtetit amë”.

Duke i kujtuar Prishtinës që “politika globale nuk bëhet as në Shqipëri dhe as në Kosovë” dhe që tashmë është kuptuar që 5 vende të Bashkimit Evropian do ta kenë shumë të vështirë njohjen e Prishtinës zyrtare,  Topi ndihet i garantuar vetëm nga planet për Kosovën të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN