Topi: Rama arrogant, jemi në një republikë kryeministrore

I ftuar në studiot e A2, ish presidenti Bamir Topi ka diskutuar ngjarjet e reja të politikës shqiptare, që sipas tij përsëriten me skema tashmë të përsëritura gjatë transicionit.

Sipas tij, “jemi në kushtet e një amatorizmi politik” që kulmon në gjendjen aktuale të një vendi evropian ku mungon de fakto Gjykata Kushtetuese.  

Sipas tij edhe në ngjarjet e fundit që kanë të bëjnë me çështjen e Unazës së Re, presidenti Ilir Meta “përdori gjithë atributet e tij Kushtetuese për të bërë me dije që këtu diçka nuk shkon”.

Ajo që nuk shkon, sipas tij, është që tashmë Shqipëria është shndërruar në një “republikë kryeministrore, jo më parlamentare”, ku kreu i ekzekutivit “bën listat e deputetëve, cakton dhe emëron kryetarin e Kuvendit, komisionet parlamentare, ushtron një dominim ndaj deputetëve dhe një pushtet që asnjë nuk mund të kundërshtoj”.

Një sistem që sipas tij po prodhon “diktatorë në demokraci” dhe që rëndohet akoma më shumë nga arroganca” e kryeministrit Rama, siç e cilëson ai, që po rëndon akoma më shumë gjendjen e nderë institucionale në vend.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN