Barça-Real, sot akti i parë sfidës që “zgjat” 1 muaj!

Një sagë që nuk ka fund, ajo ndërmjet Barcelonës dhe Realit të Madridit, e cila tërheq vëmendjen në Spanjë, por edhe në të gjithë botën.

Këtë herë, dueli i përjetshëm vjen më i jashtëzakonshëm, pasi në “Camp Nou” do të luhet akti i parë i një sfide, e cila do të zgjasë praktikisht një muaj.

Barcelona dhe Reali luajnë ndeshjen e parë në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit, mekatalanët që pas ankthit mund të buzëqeshin.

Lionel Messi është kthyer në stërvitje me pjesën tjetër të grupit dhe është gati për të luajtur. Megjithatë vendimi do të jetë i trajnerit Valverde.

Kapiteni i Barcelonës u dëmtua në ndeshjen e kampionatit kundër Valencias dhe stafi teknik duhet të vendosë nëse do të rrezikojë. Messi është një prej emrave me të cilët “El Clasico” identifikohet, por nuk duhet harruar se Barcelonën e pret një muaj mjaft i ngjeshur me ndeshje të rëndësishme.

Për pos ndeshjes në Champions me Lyon-in dhe angazhimit ndaj Sevijas, ‘blaugranat’ do të luajnë edhe dy herë të tjera me Realin, më 27 shkurt, ku do të vendoset skuadra finaliste e Kupës së Mbretit dhe më 2 mars në kampionat.

Kjo e fundit, një sfidë vendimtare për fatin e La Liga-s.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN