Meta: Marrëveshja Kosovë-Serbi pa ndryshim kufijsh

Sfidat europiane dhe sjellja malinje e Rusisë, ishte tema kryesore e forumit të sigurisë, organizuar në senatin amerikan nga Fatmir Mediu dhe kryetari i komisionit të sigurisë, Sam Jim Inhofe.

Jo vetëm Shqipëria por i gjithë rajoni i Ballkanit, sipas kryerepublikanit Mediu, përballet me sfida, duke nisur nga sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit dhe drogës, ndaj terrorizimit dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.

Fatmir Mediu dhe kryetari i komisionit të sigurisë në Senatin Amerikan, Sam Jim Inhofe

Senatorë dhe përfaqësues nga 17 vende, u ndalën gjatë tek sfidat në rajonin tonë, me theks të veçantë te Kosova dhe Serbia. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dha një mesazh të qartë, teksa nxit Prishtinën dhe Beogradin drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

“Një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, do të sjellë paqe, stabilitet, siguri në terma afat-gjatë në rajon, me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian si garantë. Rezultatet e kësaj marrëveshje finale, do të thotë se Kosova do të njihet nga Serbia si një shtet i pavarur dhe si anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. i vetmi ndryshim kufijsh, për të cilin ne duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë, është zgjerimi i plotë i kufijve europianë për Ballkanin perëndimor”

Ilir Meta, President i Republikës

Duke folur për Rusinë dhe impaktin e saj në Ballkan, Meta u ndal tek vizita e Putin ne fundit në Beograd.

“Një rënie e impaktit të SHBA dhe më pak përfshirje nga BE në rajon, mund të krijojë një vakum që mund të rrisë prezencën e Rusisë dhe aktorëve të tretë, në këtë rajon. Destabilizimi i rajonit është në interes të Rusisë ndërsa fati i rajonit është në Bashkimin Europian dhe NATO. Gjatë vizitës së tij në Beograd, presidenti Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, në përpjekje për të destabilizuar rajonin. Ne do të donim që Rusia të respektojë aspiratën euroatlantike të vendeve në rajon”

Ilir Meta, President i Republikës

Pavarësisht sfidave me të cilat ndeshet Ballkani, prania e tij në NATO është e domosdoshme, tashmë pas Malit te Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

“Teksa vijojmë të konsolidojmë demokracinë tonë, shtetin e të drejtës, luftën kundër krimit të organizuar, dhe influencën e jashtme që kërkon të kontrollojë rajonin tonë, ky process kritik nuk mund të ecë përpara pa sfida”

Ilir Meta, President i Republikës
Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN