Shano: Në parlament jo ligjvënës, por “noterë”. Vendi në kolaps – A2

Shano: Në parlament jo ligjvënës, por “noterë”. Vendi në kolaps

Opinionisti Dritan Shano ishte i ftuar në “Ditarin” e orës 13:00 kur foli për zhvillimet e fundit politike në vend.

Teksa foli për zhvillimet e fundit në Kuvend, Shano i quajti deputetët “noterë” që aprovojnë ato që i serviren nga lidershipi.

“Në atë parlament nuk ka ligjvënës, por një mazhorancë sunduese. Pjesa më e madhe e atyre që janë në sallë janë noterët që tundin kokën, ngrenë dorën nga ajo që i serviret nga ata pak njerëz që quhen lidershipi i kësaj mazhoranca. Sjellja atje është bazike. Nuk ka asnjë sofistifikim dhe nuk ka nevojë për dekodim. I tillë është niveli”, u shpreh Shano, i cili e sheh këtë si një strategji për të larguar vëmendjen nga problemet reale të vendit.

Më tej, ai tha se vendi është në kolaps. “Vendi sot është në një kolaps të plotë ekonomik. Shqiptarët e konfirmojnë me largimet e tyre. Vendi është në kolaps institucional, politik. Ky vend nuk ka më rregulla loje politike. Ne kemi nevojë të ndryshojmë dhe thithim një ajër tjetër”, tha Shano.

Sa i përket protestës së paralajmëruar të opozitës, ai u shpreh: “Protesta është një shenjë e mobilizimit të forcës për të ndryshuar këtë situatë ku ndodhemi”.

Shkarkoni aplikacionin e A2