Tkurren depozitat dhe kreditë. Kush e rriti ekonominë?

2018-ta shënoi rënie të depozitave të familjeve dhe bizneseve shqiptare. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë flasin për 1.3% rënie vjetore. Por më shumë sesa shifra, shqetësuese është tendenca. Ky është viti i dytë radhazi me rënie pas afro dy dekadash rritjeje të vazhdueshme.

Sipas statistikave, depozitat në lekë ranë me 3.7% ndërsa ato në valutë me 8.9%. Këto të fundit reflektojnë edhe zhvlerësimin e fortë te euros kundrejt lekut. Ndërsa depozitat në lek janë jashtë këtij ndikimi dhe e tregojnë më qartë tkurrjen e kursimeve të shqiptarëve. Rënie gjatë vitit 2018 ka pësuar edhe stoku i parasë, me 1% në bazë vjetore. Këta dy tregues dëshmojnë se shqiptarët gjatë vitit që lamë pas kanë pasur më pak para.

Ndërkaq të dhënat zyrtare flasin edhe për tkurrje të kredisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2018, teprica e kredisë ra në 533 miliardë lekë nga 550 miliardë që ishte në 2017-ën. Një tjetër tregues ky që ngre pikëpyetje lidhur me ecurinë e ekonomisë. Kush e ka ushqyer rritjen e pretenduar nga qeveria mbi 4% gjatë 2018-ës?

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN