Tusk: Vend i veçantë në ferr për promovuesit e Brexit

“Pyes veten se çfarë vendi të veçantë në ferr do të kenë ata që promovuan Brexit, pa një plan për ta kryer atë në mënyrë të sigurt”.

Deklarata e fortë është bërë nga presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, gjatë një konferencë me kryeministrin irlandez në Bruksel. Ai njoftoi se BE do të këmbëngulë në çështjen e kufirit irlandez në çdo lloj marrëveshje divorci me Britaninë në mënyrë që të ruhet paqja në rajon.

“Nuk ka vend për spekulime këtu. BE është një projekt paqeje. Ne nuk do të luajmë me paqen”.

Presidenti i Këshillit Europian nënvizoi se detyra më e rëndësishme në procesin Brexit është parandalimi i skenarit pa ujdi. Megjithatë njoftoi se blloku europian dhe Republika e Irlandës janë të përgatitur për këtë zhvillim. Tusk shpreson që kryeministrja Theresa May të sugjerojë një plan të realizueshëm për fazën finale të Brexit.

Muajin e kaluar ligjvënësit britanikë votuan një amendament që autorizonte shefen e qeverisë që të rinegociojë kushtet e ujdisë lidhur me shqetësimet për kufirin. Por BE ka bërë të qartë se marrëveshje nuk do të rihapet.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN