Auditi i financave, Manjani dhe Vasili shkelje ligjore – A2

Auditi i financave, Manjani dhe Vasili shkelje ligjore

Prokuroria e Tiranës pritet të marrë në pyetje 2 ish ministrat Petrit Vasili dhe Ylli Manjani për hetimet e 5 tenderave  të Ministrisë së Drejtësisë.

Dosjes voluminoze i janë shtuar dhe 14 ish zyrtarë të tjerë për të cilët prokuroria po heton për mënyrën e tenderimit për regjistrat noteriale, mbikëqyrjes elektronike, përmbarimit dhe sistemin e monitorimit me kamera për gjykatat dhe burgjet.

Sipas auditit të bërë nga ministria e Financave ish ministri i drejtësisë Ylli Manjani ka bërë disa shkelje për sa i përket prokurimit për mirëmbajtjen e sistemit përmbarimor Albis.

Në dokumentin e siguruar nga A2 CNN thuhet se urdhri i ish ministrit të drejtësisë bie ndesh me ligjin pasi nuk përmban të dhënat e fondit buxhetor ndaj dhe ish ministri dhe disa ish zyrtarë mbajnë përgjegjësi për këtë.

Në raportin auditues thuhet se edhe për projektin e menaxhimit të sistemit digjital të noterisë Manjani si autoriteti kontraktues ka shkelje në zbatimin e ligjit për prokurimet publike. Për sa i përket shkeljeve nga ana e ish ministrit të drejtësisë Petrit Vasili ato janë në sistemin e monitorimit të kamerave në burgun e Lezhës dhe atë të Fushë Krujës.

Tenderi prej 60 milionë lekësh dhe hapja e prokurimit publik është urdhëruar nga ish ministri në një kohë që autoritet është drejtoria e përgjithshme e burgjeve. Sipas ministrisë së financave në këtë rast ka shkelje të ligjit pasi ministri duhet të nxirrte udhëzim për mbajtjen e procedurave.

Sipas prokurorisë procedurat e tenderimit nisën në një kohë që nuk ishte dhënë miratimi për fonde. Çmimet referencë në të gjithë prokurimet publike nuk janë marrë në konsideratë ndërsa asnjë prej tyre nuk ka realizuar qëllimin për të cilin janë ngritur duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 5 milionë eurosh.

Shkarkoni aplikacionin e A2