Berisha: Maxhorancë e përdhunuesve; Lleshaj: Unë nuk i kam duart me gjak

Pas debatit me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka replikuar edhe me ish-Kryeministrin Sali Berisha.

“Sot keni para maxhorancën e përdhunuesve. Policia e fshehu krimin. SHISH njoftoi dhe kreun e qeverisë dhe ministrat përkatës dhe nuk thanë një fjalë”, tha Berisha në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Kavajë, ku disa të rinj akuzohen se kanë shantazhuar dhe përdhunuar një 13-vjeçare. “Fshehën krimin, përsëritën të njëjtin skenar me djalin e deputetit të tyre”, shtoi Berisha.

Ministri i Brendshëm i është përgjigjur duke thënë se rasti i Kavajës është trajtuar nga policia që në momentin e parë. “Policia e shtetit ka referuar çështjen në Prokurori, pra është bërë publike”.

“Unë i kam duart e bardha. Nuk i kam me gjak. Policia ka arrestuar përgjegjësit para se të dilte lajmi”, i është drejtuar Lleshaj Berishës.

Ndërsa ky i fundit është përgjigjur: “Ky vasal që s’ka dinjitet, merr përsipër të mashtrojë. Të zbatojë urdhrin e Edi Ramës për të fshehur lajmin. Krimi ka ndodhur në tetor. Për këta përdhunimi është standard moral. Për këta, përdhunuesi duhet të jetë kryetar bashkie”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN