May përpiqet të bindë Brukselin, Tusk eklipson vizitën

Theresa May udhëtoi të enjten drejt Brukselit, me synimin për të bindur liderët  e bashkimit europian të pranojnë ndryshime ligjërisht të detyrueshme në marrëveshjen e Brexit. Shefja e ekzekutivit do të këmbëngulë se Britania e Madhe nuk mund të mbetet e bllokuar tek i ashtuquajturi “backstop”, mekanizmi që synon parandalimin e kontrolleve në kufirin me Iralndën. Ajo do të deklarojë se marrëveshja duhet të ndryshojë për të fituar mbështetjen e ligjvënësve.

Por Bashkimi Europian vazhdon të përjashtojë mundësinë e ndryshimit të ujdisë fillestare.

“Nuk ka asnjë mundësi të kemi një kapërcim të njëanshëm të mekanizmit frenues, pasi ai është një garanci e nevojshme. Është një rrjetë sigurie që nuk mund të shkatërrohet”

Jean Claude Juncker, President i Komisionit Europian

Vizita e May eklipsohet nga stuhia që shkaktoi deklarata e Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk. Ai tha të enjten se do të ketë një vend të veçantë në ferr për ata që promovuan Brexit pa një plan të qartë për ta zbatuar atë.

Deputetët britanikë pro Brexit reaguan me zemërim ndaj komenteve duke e akuzuar Tuskun për arrogancë. Ministri David Lidington, deklaroi se këto nuk ishin komentet më brilante në diplomacinë botërore. Presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker u përpoq të ç’dramatizonte situatën.

“Unë jam më pak katolik se miku im i mirë Donald. Ai beson në parajsë dhe në ferr. Unë besoj në parajsë dhe nuk e kam parë kurrë ferrin, përveç se gjatë kohës që punoja këtu. Është vërtet një ferr”, tha ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN