Ministri gjerman: Shqipëria të vazhdojë reformat, të miratohet kodi zgjedhor

Shqipëria duhet të vazhdojë reformat për t’i bindur shtetet anëtare të BE-së, se përparimi i saj është i mjaftueshëm për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Kështu u shpreh ministri për DW, ministri gjerman i shtetit Michael Roth, pas takimit që zhvilloi mekryeparlamentarin shqiptar Gramoz Ruci.

“Kanë rëndësi qendrore reformat në administratën publike, gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe të drejtat e njeriut. Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë reformat e saj, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së të jenë të bindur se përparimi i saj është i mjaftueshëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit”, tha Michael Roth.

Ndërsa vlerësoi ecurinë e procesit të vetingut, zyrtari i lartë gjerman u shpreh i shqetësuar për korrupsionin, duke thënë se lufta ndaj këtij fenomeni duhet të vijojë me vendosmëri. Roth bëri thirrje për zbatimin e reformës zgjedhore duke i kërkuar opozitës ta miratojë kodin zgjedhor.

“Këtu pritet që të luajë një rol të veçantë edhe opozita, e sidomos Partia Demokratike, pasi qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Natyrisht, shkeljet e të drejtës së votës, të cilat qysh tani janë të dënueshme, duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen”, Michael Roth.

Ministri gjerman i Shtetit foli edhe për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se ideja e ndryshimit te kufijve është e tepërt.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN