SHBA: 170 zyrtarëve i është refuzuar viza

170 zyrtarëve dhe familjarëve të tyre i është refuzuar viza në një hark kohor prej dy vitesh. Lajmin e konfirmon vetë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë për A2 CNN.

Përmes një përgjigje zyrtare, zyra e shtypit të Ambasadës Amerikane shprehet se: “Ambasada e SHBA mohon pretendimet se ka revokuar vizat e të gjithë zyrtarëve publikë dhe se iu ka kërkuar të riaplikojnë. Këto raportime janë të rreme. Megjithatë, Ambasada e SHBA vazhdon të ushtrojë autoritetin e vet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se një individ mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara, dhe do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet antikorrupsion në Shqipëri.

Ambasada e SHBA i merr shumë seriozisht pretendimet për korrupsion dhe do të vazhdojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publikë me kontroll shtesë. Që nga revokimi i vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve në janar 2017, Ambasada e SHBA iu ka mohuar vizat më shumë se 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre.

Kjo është diçka përpos përcaktimit të deputetit Tom Doshi dhe ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjeve të tyre nga Sekretari i Shtetit si të pakualifikueshëm për viza amerikane përgjithmonë. Pozicioni i Ambasadës së SHBA kundër korrupsionit dhe synimi i saj për t’iu mohuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar mbetet i pandryshuar”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN