150 ditë nga zgjedhjet lokale, kush ikën e kush vjen?

Që zgjedhjet lokale të 30 qershorit, do të sjellin ndryshime, kryesocialisti Edi Rama e paralajmëroi më 31 gusht 2018. Kryebashkiakëve të majtë ua tha në sy. Performanca dhe angazhimi me Partinë Socialiste janë dy nga kriteret që do të tregojnë nëse drejtuesit aktualë të qyteteve, do të vijojnë të mbajnë çelësat e bashkisë, apo do t’i dorëzojnë ato.

A2 CNN ju përcjell një listë paraprake, jo zyrtare me emrat e kryebashkiakëve që nuk do të rikandidohen dhe atyre që do t’u besohet edhe një mandat nga selia rozë.

Në Elbasan duket  se Qazim Sejdini është gati të dorëzojë Bashkinë, në përfundim të mandatit të tretë. Emri më i lakueshëm është ai i Gledian Llatjas, aktualisht Prefekti i vetëm i sapoemëruar që prish rreshtin e ushtarakëve në 12 qarqet e vendit.

Në Durrës, vetë Vangjush Dako nuk shprehet kundër një rikandidimi të 4-rt, por socialistët nuk e kanë vendosur ende. Pavarësisht kësaj, ka disa emra që lakohen për bashkinë e qytetit bregdetar, si Drejtori i OSHE-së, Ardian Çela, Spartak Kovaçi, drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, apo edhe djali i deputetit Spartak Braho, Arbër Braho, nënkryetari aktual i bashkisë prej 5 vitesh.

Në veri të vendit, në Kukës, socialistët do të kërkojnë të mposhtin demokratët. Emri që përflitet, është ai i Safet Gjicit. Në Fier Armando Subashit mund t’i besohet një mandati dytë, njësoj si Sotiraq Filos në Korçë.

Por ka edhe emra deputetësh që janë të gatshëm të lënë mandatin për bashkinë. Pjerin Ndreu është një nga emrat që ka shprehur dëshirën për Lezhën, apo Rakip Suli për Bashkinë e Kamzës. Nuk duhen lënë jashtë vëmendjes edhe emrat e disa prej ministrave të shkarkuar, që mund të marrin drejtimin e ndonjë bashkie.

Dhe se fundmi, bashkia me e madhe në vend, ajo e kryeqytetit, mbetet ende në pikëpyetje. Pavarësisht se për socialistet, Erion Veliaj e ka justifikuar besimin, dhe e meriton një mandat të dytë, rrymat e kundërta që përplasen brenda vetë PS, duket se nuk e kristalizojnë aspak situatën.

Megjithatë,150 ditë larg zgjedhjeve, është shumë për të mos ndryshuar asgjë, ose gjithçka, duke ditur se Rama gjithmonë kërkon të habisë në minutën e fundit.

Shkarkoni aplikacionin e A2