Bonot, alternativa ende e leverdishme e investimit

Në kushtet ku të hapësh një biznes në Shqipëri është me risk, kur interesat e depozitave kanë zbritur gati në zero, kur të blesh apo shesësh prona nuk garanton më fitimin e dikurshëm, të investosh në bono thesari mbetet ndoshta alternativa më e leverdishme.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se gjatë vitit 2018, pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë u dominua nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 98.85% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Qytetarët kanë investuar kryesisht në bono thesari, që janë edhe afat të shkurtër, 3 mujor, 6 mujor dhe 1-vjeçar. Sipas statistikave, 70.6% e tregut të letrave me vlerë të qeverisë dominohej pikërisht nga bonot dhe vetëm 29.4% ishin instrumente afatgjatë, që njihen ndryshe si obligacione dhe që kanë afat nga 2 deri në 10 vjet.

Investimi në letrat me vlerë të qeverisë, ku përfshihen bonot dhe obligacionet, është me risk zero, pasi bëhet fjalë për një borxh që qeveria ua merr qytetarëve të saj.

Investimi në bono, interesat në rënie të frikshme

Kërkesa e lartë për të investuar në bono thesari ka ndikuar në uljen e interesave të tyre. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një reduktim të vazhdueshëm të interesave të bonove me afat 6 mujor dhe 1 vjeçar, ndërsa ankande për bono me afat 3 mujor nuk janë zhvilluar gjatë vitit 2018.

Në 5 ankandet e fundit, të zhvilluar në periudhën 6 nëntor 2018 deri më 5 shkurt 2019, interesat e bonove 1-vjeçare kanë rënë nga 1.54% në 1.27%, që ishte ankandi i fundit i zhvilluar dy ditë më parë.

Ndërsa interesat e bonove 6 mujore kanë pësuar gjithashtu zbritje në tre ankandet e fundit, nga 1.84% në ankandin e datës 3 prill 2018 deri në 1.34% në atë të zhvilluar më 2 tetor 2018, që ka qenë edhe i fundit.

Kërkesa për të investuar në bono mbetet e lartë, ndërsa oferta e ulët. Kjo pasi qeveria ka deklaruar se nuk do të marrë më borxh te qytetarët e saj, me qëllim që të nxisë investimet dhe kreditimin në vend.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN