Dritan Dajti i shpëton burgimit të përjetshëm

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dënoi me 25 vjet burg Dritan Dajtin. Vendimi, i dhënë pas seancës me dyer të mbyllura, u mor pasditen e të premtes.

Në shkallën e parë, Dajti ishte dënuar me 1 burgim të përjetshëm, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar 4 të tilla. Të dy palët e kishin apeluar vendimin, në një nga çështjet më të zgjatura në gjykatat shqiptare.

Deri në këto momente, me kohën e paraburgimit, Dajti ka shlyer 15 vite dënim. Apeli, ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke bërë që dënimi i përjetshëm të ulet në 25 vite burg.

Dritan Dajti u shpall fajtor për vrasjen e 4 efektivëve të policisë, gjatë një operacioni për arrestimin e tij në Durrës. Në atë ngjarje mbetën të vrarë policët Altin Dizdari, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska.

Ai ishte në kërkim pasi ishte dënuar për një tjetër vrasje të kryer në vitin 1999 në Tiranë, por në verë të vitit 2004 arriti të arratisej nga Gjykata e Tiranës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN