Kosnett: Kriminelët e luftës nuk kanë vend në qeveri

Shtetet e Bashkuara kritikojnë ashpër qeverinë e Kosovës për punësimin e një ish komandanti të UÇK-së. Ambasadori, Filipp Kosnett, thotë se të dënuarit për krime lufte nuk duhet të përfshihen në ekzekutivin e Prishtinës.

 Reagimi i ashpër i tij vjen pasi ish komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, u emërua këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, disa ditë pasi përfundoi dënimin e tij 7 vjeçar për krime lufte.

Sylejman Selimi

 “Kriminelët e dënuar për krime lufte nuk kanë vend në qeverinë e Kosovës. Liderët e të gjitha partive duhet të ndalojnë mbështetjen e këtyre individëve. Kjo mbështetje vendos në dyshim përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit. Jam i kënaqur të shikoj grupe nga komunitete të ndryshme që flasin njëzëri”, deklaroi ambasadori amerikan.

 Uashingtoni është një nga mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, politikisht dhe financiarisht. Por kohët e fundit ka kritikuar ashpër qeverinë Haradinaj për vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN