Kryemadhi: Ministrja Gjonaj përdor dy standarde – A2

Kryemadhi: Ministrja Gjonaj përdor dy standarde

Pas takimit me ambasadorët e BE, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deklaron se akuzat ndaj Ministres Gjonaj nuk janë shantazhe, por sipas saj ministrja nuk mund të veprojë me dy standarde sa i përket Reformës në Derjtësi.

“Zonja Gjonaj nuk mund të mbajë pozicionin e virgjereshës kur e dimë të gjithë pozicionin e saj dhe kapjen e saj. Nëse një qytetar shqiptar mund të harxhojë vite të tëra për të fituar gjyqin për t’u rikthyer në vendin e punës, bashkëshorti i saj u kthye me një vendim gjyqi që u bë brenda një jave.

Reforma në Drejtësi që kemi votuar duhet të ketë një standard për të gjithë shqiptarët. Jo tjetër standard për burrin e Etildës (Gjonaj) dhe tjetër standard për qytetarët e thjeshtë”, tha Kryemadhi.

“Reforma në Drejtësi nuk mund të ketë dy standarde. Për bashkëshortin e Donika Prelës nuk ka problem se nuk ka paguar tatimet ndaj shtetit, ndërsa një prokurore tjetër duhet të sjellë vërtetim që kushëriri i saj ka paguar apo jo tatimet në Itali për 25 000 euro”.

Ajo gjithashtu i bëri thirrje shqiptarëve për dalje masive në protestën e 16 shkurtit që do të organizohet nga opozita. “Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë shansin për të dalë dhe për të protestuar për hallet e tyre. Për faturat e larta të energjisë elektrike, për taksat e larta që paguajnë, për mungesën e shëndetësisë, mungesën e arsimit dhe mungesën e shtetit, që të jetë i barabartë dhe me një standard”.

Shkarkoni aplikacionin e A2