Macron thërret ambasadorin nga Roma

Marrëdhëniet mes Francës dhe Italisë po përjetojnë krizën më të rëndë që prej luftës së dytë botërore. Parisi akuzon liderët politikë të Romës për sulme verbale të pabaza. Në një deklaratë, ministria e jashtme franceze tha se qeveria italiane manipulon marrëdhëniet mes dy shteteve për qëllime elektorale.

“Të gjitha këto veprime po krijojnë një situatë serioze dhe vënë në dyshim qëllimet e qeverisë italiane ndaj Francës”, deklaroi ministria franceze.

Zëvendëskryeministri Mateo Salvini u përgjigj duke thënë se qeveria italiane nuk dëshiron të grindet me Francën dhe sugjeroi një takim me Macron për të rregulluar raportet. Megjithatë ai shtoi se Parisi fillimisht duhet të ndalojë dërgimin e emigrantëve në Itali, t’i japë fund kontrolleve kufitare që krijojnë radhë të gjata dhe të dorëzoje rreth 15 militantë të majtë italianë që kanë siguruar strehim në Francë.

Përplasjet e ashpra mes Parisit dhe Romës erdhën pasi zëvendëskryeministri Luigi Di Maio u takua me liderët e Jelekëve të Verdhë. Ajo që shkaktoi këtë grindje diplomatike ishte një deklaratë e Salvinit që tha se Franca ishte përgjegjëse për varfërimin e Afrikës dhe nxitjen e emigracionit.

 Këto komente Parisi i konsideron të papranueshme dhe provokim.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN