Përgjegjësitë e shtetit dhe modelet e gabuara të shoqërisë

Atmosfera politika e kësaj jave ka qenë e tensionuar jo vetëm për shkak të protestave që opozita ka nisur në të gjithë vendin, por edhe për dy ngjarje që provokuan një përplasje të fortë me akuza të rënda mes palëve.

Përkatësisht, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshajt dhe ajo e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u gjenden në qendër të sulmeve të opozitës për rastin e përdhunimit në Kavajë dhe të ashtuquajturin “skandali i byzylykëve”, një hetim që përfshin ish ministrat dhe drejtorë te LSI-së në ministrinë e Drejtësisë.

Për të folur mbi zhvillimet politike dhe sociale të kësaj jave ishin në studiot e A2 me Juli Krisafin analisti Ilir Yzeiri dhe pedagogu Ergys Mërtiri.

Për sa i përket ngjarjes në Kavajë, Mërtiri mendon  se “nuk është etike të merresh politikisht me ngjarje private, edhe pse edhe shteti, përtej aktorëve të tjerë, aty ku ka përgjegjësitë e veta, duhet denoncuar”.

Sociologu flet në veçanti për faktin se autorët e krimit u arrestuan “një javë e gjysmë pas denoncimit tek mësuesja” dhe vetëm pasi ngjarja mori dimensione mediatike, shteti filloi të bëhet “i ashpër dhe i devotshëm”, duke dhënë idenë e një reagimi fasadë.   

Yzeiri ka një vështrim të ndryshëm. Ai nuk i jep fajin shtetit, që në fund të ditës arrestoi fajtorët, por “ “skifterëve” mediatikë dhe politikë që po mbysin debatin. Sipas tij edhe media “tani duhet të heshtë” sepse debati duhet fokusuar te ekspertët e fushës dhe jo duke ndërtuar “hartime” mbi detajet e personit të dhunuar.

 Debati kalon menjëherë tek kultura që gjeneron këtë klimë.

Sipas Mërtirit, prindërit nuk po njohin më  fëmijët e tyre, sepse shoqëria po i rrit me modele të dhunshme, dhe “shkolla është në konkurrencë me tekste këngësh vulgare ku promovohet droga, seksi, dhuna”.

Këto janë modelet dhe shpesh herë shteti nuk bën asgjë madje sipas tij shpesh herë mbështet këtë dhunë. Dhe si shembull, ai tregon klipin muzikor të Çiljeta Xhilagës dhe reperit Noizy të cilët të shndërruar në banditë vrisnin një patrullë policie dhe arratiseshin të lumtur. Klipi në fjalë gjente kulmin e tij me falënderimin ndaj Ministrisë së Brendshme që kishte dhënë kontributin e tij në realizim.

Kultura drejton natyrisht argumentin tek protesta e studentëve, dhe këtu Mërtiri mendon se “presioni i jashtëzakonshëm e zbeu” edhe pse pati meritën që i tregoi opinionit publik që  “çdo pushtet është i kërcënuar kur reagimi qytetar është në nivelin e duhur”.

Ai ndjen gjithsesi ” keqardhje për përçarjen”, dhe ende pyet veten pse pati një tërheqje pa realizimin e asnjërës prej 8 pikave.

Kurse për Yzeiri protesta “nuk falimentoi, ishte një proteste e qytetëruar, shfaqja me elegante e zemërimit te një kategorie të neveritur ndaj një sistemi që po shfaqte defekte të jashtëzakonshme”. Problemi për të qëndron në faktin që “ata nuk e kuptuan forcën që kishin, dhe nuk ishin të përgatitur për të luftuar sistemin, por për të përmirësuar gjendjen e tyre”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN