Maqedonia në Nato, Greqia ratifikon protokollin e anëtarësimit

Greqia u bë vendi i parë që ratifikoi protokollin për anëtarësimit të Maqedonisë në Nato. Pas një debati që zgjati rreth 11 orë, 153 ligjvënësit grekë votuan pro , duke i hapur rrugën, zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Prespës.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras u shpreh se votimi mbyll ciklin më të rëndësishëm të marrëveshjes historike të Prespës.

 “Nga ky podium dua ti uroj edhe një herë mirëseardhjen Maqedonisë veriore, një vend mik i Greqisë, një vend që duhet të jetë mbështetës dhe jo kundërshtar i përpjekjeve tona për të kthyer sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi kryeministri grek.

Lideri i opozitës Kyriakos Mitsotakis dënoi atë që e quajti vjedhje të identitetit nga fqinji verior. “Demokracia e re nuk është kundër hyrjes së Shkupit në Nato por nuk pranon faktin qe Greqia të falë identitetin, kombësinë dhe gjuhën e saj. Prandaj votojmë kundër protokollit të anëtarësimit’.

Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri maqedonas Zoran Zaev e cilësoi Greqinë një vend mik, dhe pohoi se po shkonin drejt një suksesi të garantuar. Pjesëtarët e Natos firmosën të mërkurën protokollin që lejon Maqedoninë të bëhet anëtarja 30-të e aleancës veri-atlantike.

Protokolli duhet të ratifikohet nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN