Medaljet e ‘Tokio 2020’ nga materialet e riciklueshme

Të gjitha medaljet për lojërat olimpike dhe paraolimpike ‘Tokio 2020’,sipas organizatorëve, do të krijohen duke përdorur të gjitha mbetjet e riciklueshme elektronike, kryesisht telefona celularë.

 Projekti ka nisur që në vitin 2017, me mbledhjen e të gjitha mbetjeve të mundshme elektronike, duke përfshirë këtu smartfona dhe laptopa, për të përfunduar planin.

Synimi është të mblidhen 30.3 kg flori, 4100 kg argjend dhe 2700 kg bronz, mjaftueshëm për medaljet që do të dorëzohen në finalet e lojërave.

 Synimi i organizatorëve, është fundi i muajit mars, për të nisur më pas punën, duke i pastruar fillimisht dhe për ti dhënë formën finale.
Rreth 2700 kg bronz janë mbledhur, por për arin dhe argjendin është pak më e vështirë.

Në fillim të muajit prill, pritet që komiteti organizativ i Tokio 2020 të prezantojë zyrtarisht edhe dizajnin e medaljeve.

Metali i riciklueshëm është mbledhur përgjatë këtyre muajve në të gjitha industritë japoneze, duke nisur që nga administrata shtetërore dhe bizneset private. Që prej nëntorit të 2018-ës, janë mbledhur 47.4 mijë ton pajisje elektronike ndërsa vetë qytetarët kanë dorëzuar mbi 5 milionë aparate celularë të vjetër.

Gjatë lojërave olimpike Rio 2016, rreth 30% e medaljeve, ato ari dhe argjendi, janë siguruar nga materialet e riciklueshme.