Negociatat me Greqinë, Presidenti Meta i vendosur: Autorizoj vetëm Edi Ramën – A2

Negociatat me Greqinë, Presidenti Meta i vendosur: Autorizoj vetëm Edi Ramën

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta foli për situatën në vend, por edhe për dialogun Kosovë-Shqipëri.

Presidenti u pyet për ndryshimet në Ministrinë e Jashtme dhe a do të kenë ato ndikim në negociatat me Greqinë, ku u shpreh i vendosur se ai autorizon vetëm Edi Ramën si ministër të Jashtëm.

“Çështjen e marrëdhënieve me Greqinë e lidha thjesht me vendimin që është në fuqi të Gjykatës Kushtetuese për shkak të marrëveshjes së mëparshme, që u rrëzua pas kërkesës së Partisë Socialiste, i cili përcakton se cilat janë kompetencat e Presidentit dhe të çdo institucioni në fushën e politikës së jashtme për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për të ardhur në thelbin e pyetjes tuaj, se nuk doja të lija një keqkuptim: Presidenti e ka shumë të qartë dhe autorizon vetëm ministrin e jashtëm, i cili në këtë rast është vet kryeministri, me kërkesën e tij, dhe ai quhet zoti Edi Rama”, tha Presidenti Ilir Meta.

Presidenti Meta u pyet edhe mbi revokimin e vizës për 170 zyrtarë dhe ish-zyrtarë publikë që nga viti 2017 nga Ambasada Amerikane dhe a është ky një tregues se korrupsioni është i shtrirë në nivele të larta. Për këtë, Meta u tha se këtë e tregon edhe raporti i fundit i Transparency International.

“Për këtë nuk mjafton vetëm ky rast apo ky fakt që shprehni ju. Për fat të keq, raporti i Transparency International tregon një përkeqësim. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që SHBA dhe BE të vijojnë në mënyrë më aktive angazhimin e tyre për të ndihmuar në ngritjen e besueshme të institucioneve të reja të reformës në drejtësi, të japin një mbështetje dhe inkurajim më të madh për ONM-në, të cilën ne e vendosëm edhe në Kushtetutë, dhe për vlerësimet e saj, në mënyrë që ne t’i kemi sa më shpejt këto institucione në punë, t’i kemi sa më të besueshme dhe sa më të paanshme”.

Sa i përket dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Meta theksoi se ai duhet të finalizohet sa më parë, pasi është edhe në interes të Shqipërisë.

“Është një dialog që u quajt “për normalizimin” dhe tani të gjithë kërkojnë finalizimin e tij, ndërkohë që ne ende nuk kemi një bilanc të plotë të normalizimit dhe të zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme. Megjithatë, përsëri unë bashkohem me atë kërkesë, me atë interes të përgjithshëm, sepse është interes edhe i Shqipërisë, po është interes edhe i partnerëve tanë dhe i vet proceseve integruese, të cilave ne iu jemi bashkuar dhe që kërkojmë të fitojnë shtysë të re përmes realizimit të kësaj marrëveshjeje, që kjo gjë të realizohet sa më parë. Por i dimë vështirësitë e deritanishme, të cilat shpresojmë të kapërcehen me reflektim të përbashkët nga të dyja palët, për të krijuar atë mirëbesim, që ka munguar deri tani”, tha Ilir Meta.

Shkarkoni aplikacionin e A2