Qeveria reagoi për “Dajtin”, PD:“Kukullat” e Ramës u bënë pjesë e teatrit kriminal

Një tjetër temë e nxehtë është bërë pjesë e politikës. Vendimi i gjykatës për Dritan Dajtin, i cili i shpëtoi dënimit me burgim të përjetshëm, ka sjellë reagime të forta si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca.

Ministrja e Drejtësisë, Gjonaj dhe ai i Brendshëm, Lleshaj, dënuan vendimin, duke e quajtur atë aferë korruptive, madje Lleshaj tha se ata gjyqtarë e meritojnë burgun.

Nuk ka vonuar edhe reagimi i Partisë Demokratike që i quajti reagimet të vonuara dhe të shtrënguar nga presioni ndërkombëtar dhe revolta e opinionit publik.

“Kukullat e Edi Ramës në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë u bënë pjesë e teatrit kriminal me aktor Dritan Dajtin dhe regjisor Edi Ramën. Lotët e krokodilit nuk e ndryshojnë dot faktin se vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, Dritan Dajti, është praktikisht i liruar nga drejtësia e re e Edi Ramës.

Shqiptarët mund të gënjehen njëherë, por jo përgjithmonë! Në vend që t’u besojnë kërcënimeve qesharake të eunukut të Ramës në Ministrinë e Brendshme, shqiptarët e dinë se karrigia e Edi Ramës është blerë nga votat e krimit të organizuar, i cili, fatkeqësisht, nuk luftohet dot me lot krokodili.

Faktet janë kokëfortë:

  1. Edi Rama kishte nën kontroll Gjykata e Lartë, kur ajo zhvlerësoi dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe i hapi rrugë vendimit skandaloz që siguron lirinë e shpejtë të një prej kriminelëve më të tmerrshëm.
  2. Edi Rama, njeriu që përgojon gjithë Tiranën, heshti kur Gjykata e Lartë ndihmoi Dritan Dajtin, heshti edhe 3 ditë më parë, pas vendimit skandaloz për Dritan Dajtin.
  3. Në qeverisjen e Edi Ramës të gjithë bandat dhe kriminelët më të rrezikshëm janë lënë të lirë, që nga Hakmarrja për Drejtësi, Banda e Durrësit tek Banda e Lushnjës dhe trafikantët ndërkombëtarë të kokainës në Xibrakë.

Në vend të lotëve të krokodilit për një vendim të dirigjuar nga Edi Rama, Ministrja e Drejtësisë duhet t’i kërkojë prokurorisë që të zbardhë përgjimet nga burgu të Dritan Dajtit dhe t’u thotë shqiptarëve:

 Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti?
 Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës?
 Kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?

Pyetjet janë konkrete dhe kërkojnë përgjigje konkrete, jo lojëra fjalësh e mashtrime për shkarkime gjyqtarësh nga qeveria që ka në dorë të shkarkojë Vangjush Dakon, por vazhdon ta mbrojë atë për blerjen e votave në bashkëpunim me të ngjashmit e Dritan Dajtit”, mbyllet deklarata e PD.