Gjata: Qeveria “lot krokodili”, Dritan Dajtin po e liron Rama

I ftuar në A2, juristi dhe sekretari i Çështjeve Ligjore në PD Çlirim Gjata diskutoi mbi çështjet e fundit të gjyqësorit në vend, veçanërisht për vendimin shumë të diskutuar mbi  Dritan Dajtin.

Sipas Gjatës, “prokurori duhet të përgatisë ankimimin sa më parë, dhe gjyqtarët e vendimit të dënohen nga Vettingu”, dhe nuk arrin të kuptojë si u shndërruan 4 burgime të përjetshme në 25 vjet burg “për çështje procedurale”.

Por ai sheh një problem akoma më të madh. “Këtu ka qartësisht prapavijë politike: Kriminelët po lirohen nga burgu”.  Sipas tij, asnjë gjyqtar nuk mund të japë një vendim të tillë “pa mbështetjen e kryeministrit”.

Reagimin  e Qeverisë ai e cilëson si “lot krokodili” dhe i vonuar pas më shumë se 48 orë, dhe pyet veten pse këta “kriminelë lirohen gjithmonë para zgjedhjeve”.

 Gjata denoncoi edhe shpërndarjen e videos së ministres Spiropali me prindërit e vajzës së dhunuar në Kavajë, që sipas tij “shkel në mënyrë flagrante Kodin e Drejtësisë së Fëmijëve”.

Partia Demokratike ndërkohë përgatitet për protestën e 16 shkurtit, por Gjata nuk preferon që PD të ketë atësinë e saj, sepse “jemi ne që do t’i bashkohemi protestës së qytetarëve, jo  ata protestës sonë”, dhe se opinioni publik ka mundësinë atë ditë “të marrin fatin e tyre në dorë”, duke shtuar se “lëvizje të tilla bëhen të paparashikueshme”.

Shkarkoni aplikacionin e A2