Industria kërkon uljen e çmimit të energjisë dhe karburanteve

Industria kërkon uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe karburanteve. Thirrja është bërë nga Konfindustria, e cila apelon qeverinë që të ndërhyjë sa më shpejt, që çmimet të zbresin në nivele të krahasueshme me rajonin.

Sipas industrialistëve, çmimet e larta dhe cilësia e dobët e karburanteve dhe energjisë elektrike janë pengesë kryesore për zhvillimin ekonomik, biznesin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Tregjet e karburanteve dhe energjisë elektrike kanë një qarkullim vjetor të përbashkët prej mbi 1.7 miliardë dollarë dhe janë më kryesorët, duke kapur afër 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas Konfindustrisë, Shqipëria radhitet në 25 vendet e para në botë dhe nga më të lartët në Europë për çmimin dhe njëkohësisht për cilësinë tepër të ulët të karburanteve në qarkullim, në një kohë që institucionet shtetërore nuk ndërhyjnë, çka dëshmon sipas industrialistëve për paaftësi, subjektivizëm dhe korrupsion.