Manastriliu: Dënoj dhunën në QSUT, kanosja ndaj mjekëve do të jetë vepër penale

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar sot pas akteve të dhunës së ndodhura dje në ambientet e QSUT-së ndaj një mjeku infeksionist.

Ministrja Ogerta Manastirliu e ka cilësuar ngjarjen si një “akt barbar” dhe që “sulme të tilla ndaj mjekëve, infermierëve, apo cilitdo që me vetëmohim dhe sakrificë, punon përditë, në shërbim të shëndetit të qytetarëve, meritojnë ndëshkimin maksimal që lejon ligji”.

Duke inkurajuar organet e drejtësisë të hetojnë “me prioritet” ngjarjen, Manastirliu deklaroi që ka propozuar një ndryshim në kodin penal, për të ngritur në nivel të veprës penale kanosjen e personelit mjekësor, si dhe një “rishikim të trajtimit të gabimit mjekësor”.

Çfarë ka ndodhur dje?

Sipas deklaratës së forcave të rendit, shtetasi A.M, 45 vjeç, banues në Tiranë  pasi ka shkuar për të vizituar një të afërmin e tij që ndodhej  i shtruar në  spital, ka goditur dje rreth orës 13.30 në ambientet e urgjencës së Spitalit Infektiv mjekun e urgjencës për shkak të detyrës, dhe është larguar nga spitali.

Forcat e Rendit po veprojnë për gjetjen dhe ndalimin e tij, dhe materialet proceduriale i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.