Duka: Më votuan vendet nordike dhe Britania e Madhe

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i sapo zgjedhur në komitetin ekzekutiv të UEFA-s, ishte “i Ftuari” në studion e A2 me Endri Xhafon këtë të martë.

Ai shpjegoi se federatave europiane u janë dërguar dy emaile anonime, para dy vitesh dhe këtë vit, ku iu kërkohej të mos e votonin. Por këtë herë mori votat e disa shteteve që nuk e kishin votuar herën e kaluar. “Më mbështetën vendet nordike, Britania e Madhe dhe vendet baltike, në ndryshim nga dy vjet më parë”, u shpreh Duka.

I pyetur nëse do të paguhet ai për punën e tij në komitetin ekzekutiv të UEFA-s, që normalisht mblidhet çdo herë në muaj ose dy muaj, Presidenti i FSHF u përgjigj: “Nuk e di dhe as nuk e kam menduar këtë gjë. E kam thënë edhe më parë, kam kandiduar që Shqipëria të ketë një përfaqësim në këto nivele, edhe pse posti është individual”, tha zoti Duka.

Ai gjithashtu shtoi se ka marrë urime nga disa politikanë shqiptare, si Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta, por edhe politikanë të huaj përveç homologëve të disa vendeve, ndërsa zbuloi edhe një detaj: “Telefonata dhe mesazhe kanë ardhur shumë, por telefonin ia kam ngritur vetëm mamasë time që më mori për të më uruar”.

Duke pranuar ndërhyrjet e politikës në punët e Federatës Shqiptare të Futbollit, probleme të cilat u evidentuan edhe UEFA, Duka tha se pavarësisht këtyre tendencave, Shqipëria është shumë më i zhvilluar se vendet e tjera ish-komuniste. “Në vendet e tjera është e vështirë t’i shpëtosh kur të sulmon politika, ndryshe nga Shqipëria”.

Shkarkoni aplikacionin e A2