Haradinaj i përgjigjet shefit të NATO-s: Nuk ka veri-jug, Kosova është një – A2

Haradinaj i përgjigjet shefit të NATO-s: Nuk ka veri-jug, Kosova është një

Ushtria e Kosovës mund të shkojë në çdo cep të territorit të saj. Ishte kjo kundërpërgjigja e Kryeministrit Ramush Haradinaj për deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojnë në veri të vendit pa marrë miratimin e KFOR.

Në një konferencë për shtyp, Haradinaj sqaroi mandatin e ushtrisë.

“Me më shumë se 2/3 të votave, Kuvendi i ka dhënë mandatin Ushtrisë së vendit, për gjithë Kosovën, pa dallim – nuk ka më specifika, a është veri ose jug, lindje ose perëndim”

Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës

Një tjetër kritikë që erdhi nga selia e NATO-s për qeverinë e Kosovës kishte lidhje me taksën e vendosur për produktet serbe. Stoltenberg tha se disa vende anëtare janë të zhgënjyera me këtë vendim. Për këtë temë, Haradinaj tha se tarifa mund të qëndrojë përjetësisht.

“Nuk ka sanksion apo kërcënim që na detyron me heq taksën – qoftë nga vendet nacionale, qoftë nga dikush tjetër”

Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës

Gjatë konferencës, Haradinaj pranoi se ambasadori amerikan Filip Kosnet i kishte kërkuar sërish heqjen e taksës. Përgjigja e shefit të qeverisë për diplomatin e Uashingtonit ishte se tarifa nuk pezullohet pa njohje reciproke.

Shkarkoni aplikacionin e A2