Krimi në familje, kush po i vret gratë?

Vrasja e Ervilma Seferit mëngjesin e të martës është vetëm rasti i radhës në muajt e fundit, ku krimi në familje i merr jetën një prej anëtarëve. Në pjesën më të madhe të rasteve, sikurse edhe në këtë, është bashkëshorti që i merr jetën bashkëshortes.

Ngjarja tragjike madje ndodhi në sytë e fëmijës dyvjeçar të çiftit, diçka që sipas mjekut psikiatër Neli Demi, do të lërë gjurmë në edhe në kujtesën e vajzës. Në studion e A2 Debat, Demi tha se këto fenomene janë gjithnjë e më të pranishëm sa më patriarkale dhe e ndrydhur të jetë një shoqëri.

“Ky është një fenomen i lidhur shumë ngushtë dhe nevojën e dominimit të një anëtari të familjes, pjesën më të madhe bashkëshorti, ose djali, apo babai. Është një fenomen shumë fatkeq në krahasim me vrasje të tjera, sepse viktima nuk është vetëm personi që humb jetën”, tha zoti Demi. “Por edhe fëmijët traumatizohen dhe mund të viktimizohen gjithë jetën e tyre”. Ndërsa Eris Dhamo, sociologe dhe pedagoge e Fakultetit të Shkencave Sociale shtoi: “Ky fëmijë që ka përjetuar dhunë, ka shumë mundësi që nesër të tolerojë dhunë, apo forma të abuzimit, sepse të tillë stil ka parë”.

Sipas zonjës Dhamo, dhuna në Shqipëri është problem edhe kulturor, pasi norma është që burri ka gjithmonë të drejtë. Ajo bëri edhe një apel për femrat e dhunuara: “Individi që kërkon ndihmë, është gjysmë i shpëtuar. Sepse ka kuptuar që diçka tek ai nuk shkon ashtu siç duhet. Dhe këto ka shumë mundësi të jenë raste të suksesshme”.

Shkarkoni aplikacionin e A2