Protesta e opozitës, reagon policia: Do të ketë persona të rrezikshëm

Me një deklaratë të shpërndarë për mediat, policia thotë se në tubimin e opozitës në 16 shkurt, do të marrin pjesë edhe persona me precedentë penalë, që synojnë krijimin e destabilitetit në vend.

Në deklaratë, policia u bën thirrje partive të opozitës, që të mos nxisin veprime kundër rendit dhe qetësisë.

Në datën 16 shkurt, qytetarët, sipas policisë këshillohen që të kufizojnë lëvizjet në zonën pranë protestës.

Policia njofton se do të kontrollojë intensivisht mjetet që do të hyjnë në kryeqytet, me qëllim ndalimin e përfshirjes së personave me rekorde kriminale në protestë.

Për sa më sipër ka reaguar edhe selia blu. Përmes sekretarit të përgjithshëm Gazmend Bardhi, i cili qetëson qytetarët për protestën e 16 shkurtit.

“Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zemërimi dhe revolta e shqiptarëve. Edi Rama shfaqi sot të gjithë frikën e tij kur urdhëroi policinë e shtetit të përhapë panik. Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është krim. PD garanton çdo qytetarët për sigurinë e tij në protestë. Sicili prej shërbëtorëve të skenarit të Ramës do të mbajë përgjegjësi”, tha Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN