Familjarët e 4 policëve: Shteti të vendosë për fatin e Dritan Dajtit

Familjarët e 4 policëve të vrarë nga Dritan Dajti, nuk pranojnë të prononcohen për vendimin e gjykatës, që dënoi me 25 vite burg personin që akuzohet për vrasjen e të afërmve të tyre. Të kontaktuar nga A2 CNN, familjarët u shprehën se gjithçka ia kanë lënë në dorë shtetit.

A2 CNN kontaktoi familjarët e policëve Kastriot Feskaj, Fatos Xhani, Altin Dizdari dhe Sajmir Duçkollari. Armando Duçkollari, vëllai i Sajmirit, përmes telefonit tha se tashmë është në dorë të shtetit të vendosë drejtësi. Nëna e tij, Drita Duçkollari kujtoi se ishte amaneti i bashkëshortit të saj, Islamit, që të mos prononcohej për vrasjen e Sajmirit. Vetë Islami, nuk e përballoi dot dhimbjen për vdekjen e djalit dhe në tetor të vitit 2012, 3 vjet pas vrasjes së të birit, u vetëvra me armën e gjahut.

Ndërsa familjarët e 3 policëve të tjerë, nuk pranuan të thonë asnjë fjalë, megjithëse gjykata e shpëtoi Dajtin nga burgu përjetë. Vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është zbardhur ende, por emrat e gjykatësve që ishin pro gjykimit të shkurtuar janë Petrit Aliaj, Skënder Damini dhe Aleks Nikolli.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN