Si shpëtoi Dajti nga burgimi i përjetshëm?

Vendimi për të pranuar gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin pak ditë më parë u shoqërua me debate dhe akuza të forta ndaj gjykatësve të apelit të krimeve të rënda. Vendimi e shpëtoi vrasësin e 4 policëve nga burgimi i përjetshëm, por si e arsyetoi Gjykata e Shkallës së Pare, refuzimin për gjykim të shkurtuar?

Në vendimin e 9 viteve më parë, që ka siguruar A2 CNN, shprehet qartë se kërkesa e të pandehurit është bërë në seancën e datës 4 qershor të vitit 2010, pra 8 ditë më vonë se parashtrimi i akuzës. Dajti kërkoi gjatë gjykimit ndaj tij, pafajësi për 2 episode, duke mos pranuar kurrë faktin e vrasjes së efektivëve të policisë.

Në sallë ai i kërkoi gjykatës prova si rrobat e viktimave, gëzhojat e mbledhura në vendngjarje dhe dëshmitë e dhëna të policëve në fazën e hetimit të çështjes. Vendimi i shkallës së parë për krimet e rënda, u rrëzua nga Gjykata e Apelit, e cila e prishi vendimin me argumentimin se procesi ndaj Dajtit është zhvilluar pa avokat mbrojtës dhe vendosi ta rigjykojë çështjen.

Ndërsa Gjykata e Lartë prishi vendimin e apelit me argumentimin se shkalla e parë s’ka pasur asnjë shkelje gjatë vendimit dhe se çështja e përfaqësimit me avokat është ezauruar. Nuk dihet ende arsyeja pse Gjykata e Apelit nuk mori parasysh këto arsye për të cilën veproi dhe refuzoi shkalla e parë e gjyqësorit. Zbardhja e këtij vendimi do të hedhë dritë mbi vendimin që i dha Dritan Dajtit përfundimisht 10 vite burgim.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN