Boja ndaj Ramës, Ferhati: E turpshme! Çupi: Kryeministri e ka provokuar vazhdimisht Palokën

Për të folur për zhvillimet e fundit politike në vend, ngjarjet e fundit në parlament këtë te enjte, por edhe protestën e së shtunës të opozitës, Dhurata Çupi nga Partia Demokratike dhe Klotilda Ferhati nga Partia Socialiste ishin në emisionin “A2 Debat” të drejtuar nga Juli Krisafi.

Për deputeten e PD, ngjarjet e fundit në Kuvend dhe boja ndaj Kryeministrit ishte e provokuar pikërisht nga ai, të paktën sipas Dhurata Çupit.

“Shqiptarët janë mësuar me dhunën e mazhorancës. Të mos harrojmë se kemi një Kryeministër që çdo të enjte përdor një fjalor të dhunshëm, sharës, bulist. Kemi një mazhorancë që është e dhunshme në fjalor dhe në veprime dhe kjo reflektohet gjithandej. Tashmë janë lodhur edhe qytetarët. Në fakt dhunë në parlament nuk duhet të ekzistojë pasi ne po shikojmë një shoqëri të dhunshme dhe këto reflektohen më pas në çdo fushë. Provokoi kryeministri. Ai e ka provokuar në mënyrë të vazhdueshme zotin Paloka. Ai bulon ndaj zotit Paloka dhe boja ishte përgjigje ndaj veprimeve të Kryeministrit”, tha deputetja e PD.

Në anën tjetër, deputetja e PS, Klotilda Ferhati u shpreh se ngjarja ka nevojë për një analizë pa emocion.

“Është model që ne i japin qytetarëve. Seanca në rend dite kishte një çështje tejet të rëndësishme. Fokusi ishte vetëm në çështje që i nderojnë shqiptarët. Edhe pse duhet të fokusoheshin te këto çështje, patën qartazi shkelje të rregullores së Kuvendit nga ana e liderit të opozitës, i cili kaloi nga rendi i ditës dhe në fjalën e tij kishte gjuhë urrejtje dhe ofendime për kolegët e mazhorancës, por edhe thirrje për dhunë që i bëhej popullit. Më pas, ai mori një përgjigje nga Kryeministri. Pse duhet të çohej një deputet i opozitës dhe të përdorë bojë ndaj Kryeministrit. Nuk mendova kurrë që Paloka po çohej për të bërë atë veprim dhe nëse të gjithë atë që ishin në sallë kanë ndjerë turpin e veprimit që ndodhi, për publikun që po i ndiqte edhe jashtë kufijve. Unë kisha edhe studentët në sallë, të cilët kishin ndjekur të ndiqnin këtë seancë historike”, tha Ferhati.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN