Lleshaj: Jemi në borxh me policët, orët shtesë do të paguhen

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj konfirmoi në “I Ftuari” në A2 CNN se policët do të marrin oërt shtesë edhe pse ka pasur një “ngërç”.

Lleshaj u shpreh se problemi qëndron te fakti që është e vështirë të planifikosh të gjithë ngarkesën e policëve. Ai tha se paratë do të paguhen, por tani pritet kur do të futen në grafikun e planifikimeve.

“Të gjithë oficerët e Policisë së Shtetit meritojnë respektin tim maksimal, të cilët punojnë më tepër se sa ne i paguajmë. Në si shoqëri spostojmë një pjesë të madhe të detyrave që duhet t’i bëjmë ne te Policia e Shtetit, e cila duhet të merret me sigurinë, kontrollin e territorit, qarkullimin rrugor, luftën kundër krimit, me ndërtimet pa leje, me çështje pa fund.

Pagesat janë çështje planifikimi. Ne kemi borxhe ndaj policëve tanë, por është e vështirë që të parashikosh gjithë atë ngarkesë që nuk parashikohet dot për shkaqe nga më të ndryshmet. Me mijëra orë pune shtesë janë bërë për protestën e studentëve. Këto para duhet të paguhen nga buxheti i shtetit. Këto do të paguhen, janë detyrime, por është thjesht çështja kur do të futen në grafikun e planifikimeve”, u shpreh ministri në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos.