Ngjela: Niveli i Parlamentit jo intelektual, Reforma në Drejtësi do ta pastrojë

Avokati Spartak Ngjela ishte sot në A2 për të komentuar ngjarjet e fundit në vend dhe rajon.

Duke iu referuar ngjarjeve te sotme në Kuvend, me sulmin me bojë të Edi Palokës ndaj kryeministrit Edi Rama avokati komentoi që “niveli i Parlamentit nuk është intelektual, Shqipëria vuan prej dekadash nga anti intelektualizmi”.

Por një gjë shton.  “Reforma është në horizont dhe shumë nga këta do të penalizohen. Shteti shqiptar ka 23 vjet i pakontrolluar, tani kanë 2 vjet që janë shumë të shqetësuar, nuk ka shqiptarë në ONM, që organizon gjithçka”.  

Sipas tij, ndërkombëtaret janë “të skrupullt në hetim, dhe hetimi i disa gjyqtarëve po vonohet vetëm se duan prova të sakta, edhe pse rreth 50% janë larguar”. Lajmi i mirë për avokatin është që edhe pse me vështirësi, “Shqipëria është drejt një oksidentalizimi të sistemit të drejtësisë”.

Avokati sheh edhe përtej kufijve shtetëror, edhe pse nuk di a do të ketë një reformë të tillë edhe në Kosovë.  Por për një gjë është i sigurt: “Kështu siç jemi, të shpërndarë, as Shqipëria as Kosova jemi vende që mund të mbahen vetë.  Ne na mban emigracioni, remitancat. A do të jemi në gjendje të krijojmë një treg shqiptar në Ballkan?”.

Ngjela dukshëm përkrah vizionin e kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj në lidhje me marrëveshjen me Serbinë. “Nuk e di kush është shitur aty, por shkëmbime territoresh nuk mund të ketë.  Kush mendon se është presidenti i Kosovë, një monark absolut?, deklaron.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN