Protesta e opozitës, ministri Lleshaj: Ka një prirje për të pasur dhunë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte “I Ftuari” i kësaj të enjteje në emisionin e Endri Xhafos në A2 CNN, ku ndër të tjera foli edhe për protestën që pritet të mbahet ditën e shtunë nga opozita.

Ai u pyet se si i komenton deklaratat e kryetarit të PD, Basha: “Merrni në dorën fatin tuaj. Vendosni ju!”, si edhe ai i druhet një protestë të dhunshme ditën e shtunë.

Ministri Lleshaj u shpreh se ka një prirje për të pasur dhunë në këtë protestë që pritet të mbahet më 16 shkurt.

“Çdo protestë e PD ka qenë më historikja e mundshme. Edhe kjo kështu do të jetë. Kështu u definojnë organizatorët. Sa i përket dhunës, duket se ka një prirje për të patur dhunë, duke iu referuar deklaratave të opozitës”, tha Lleshaj.

Më tej, ai tha se krijimi i një atmosfere revolucionare e ka lodhu vendin tonë dhe e ka turpëruar.

Sa i përket masave të marra nga policia, Lleshaj u shpreh se policia nuk ka nxjerrë asnjë pengesë për protestën. “Policia ka përgjegjësi për të gjithë qytetarët dhe institucionet. Protestuesit janë vetëm një pjesë e vëmendjes së policisë”, tha ministri.

PD reagoi për bllokimin e rrugëve hyrëse në Tiranë, por Lleshaj tha se kjo nuk ka lidhje me protestën. “Qeveria nuk bllokon rrugë, por ndërton rrugë. Kontraktorët do të bëjnë punën e tyre, jo vetëm të shtunën, por edhe të dielën”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN