Maqedonia e Veriut, rritet bilanci i viktimave, shpallen 2 ditë zie kombëtare – A2

Maqedonia e Veriut, rritet bilanci i viktimave, shpallen 2 ditë zie kombëtare

Shkon në 14 numri i viktimave të tragjedisë që tronditi të mërkurën Maqedoninë e Veriut, kur një autobus me rreth 50 pasagjerë doli rruga dhe u përmbys ndërsa udhëtonte në autostradën Shkup-Tetovë.

Bilancin e ri e konfirmoi kryeministri Zoran Zaev pas një mbledhje të jashtëzakonshme me kabinetin qeveritar, gjatë së cilës u vendos që 14 dhe 15 shkurti të shpallen si ditë zie kombëtare.

 “Një natë e vështirë, nuk kam fjalë për të shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave. I mobilizuam të gjitha forcat, Qeveria mori vendimin që 14 dhe 15 shkurti të shpallen ditë zie. Reagimi i institucioneve ishte i shpejtë. Për fat të keq, 14 persona humbën jetën, 7 prej të cilëve në vendngjarje. 37 vetë janë shtruar në spital”, deklaroi kryeministri maqedonas.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkakut të aksidentit por sipas burimeve jo zyrtare të cituara nga mediat e Maqedonisë veriore autobusi që po udhëtonte  nga Shkupi në Gostivar, doli nga rruga në afërsi të fshatit Llaskarcë, pas shpërthimit të një gome.

 Prokurori publik ka kërkuar që drejtuesi i autobusit t’i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme, e gjithashtu të behet kontrolli teknik i mjetit, për të përcaktuar gjendjen e tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2