“A2 Debat”/ Kadilli: Protesta, në dorë të qytetarëve. Peza: Provë për opozitën

“16 shkurti do të jetë dita kur do të ndëshkohet qeveria!” Ky është mesazhi që kreu i Partisë Demokratike iu ka dërguar gjithë shqiptarëve një ditë para protestës së opozitës.

Ndërkohë, i ftuar në “A2 Debat”, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli u shpreh se protesta e së shtunës nuk është vetëm e opozitës, por është e popullit. Ai tha se protesta do të jetë në dorë të qytetarëve.

“Nuk është vetëm protestë e opozitës, por është protestë e popullit të opozitës. Kjo qeveri i ka braktisur njerëzit. I gjithë turi që kemi bërë në Shqipëri, Rama shihet si e shkuara, ndërsa opozita si e ardhmja. Do të jenë qytetarët që e kanë në dorë protestën. Objektivi është largimi i këtij Kryeministri. Rama ka shkelur çdo gjë. Kjo mazhorancë është e falsifikuar. Jemi në një moment që nuk ka kontratë mes qeverisë dhe qytetarëve”, tha Kadilli.

Në anën tjetër, në “A2 Debat” ishte i ftuar edhe Afred Peza, sekretar për marrëdhëniet me shoqërinë civile dhe mediat, ai tha se protesta e së shtunës më shumë është një provë për opozitën dhe jo mazhorancën.

“Do të ishim të shqetësuar nëse nuk do të kishte protesta në një vend demokratik. Është e pasinqertë opozita kur thotë se ne ja kemi lënë në dorë qytetarëve protestën. Opozita ka përcaktuar datën dhe orën e protestën dhe ata duhet t’i dalin për zotë protestës. Nëse do ishte lënë në dorë të qytetarëve, atëherë Basha nuk ka pse shkon në çdo shtëpi apo çdo biznes duke ftuar qytetarët. Është një protestë që më shumë vë në provë opozitën sesa mazhorancën. Opozita ka 10 muaj që nuk ka protestuar”, tha Peza.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN