Basha: Rama nesër në Vlorë, pasnesër në azil

Në ditën e 105 të protestës së banorëve të Unazës së Re dhe një ditë para protestës së opozitës, Lulzim Basha u shpreh nga “Astiri” se Edi Rama nesër do të iki në Vlorë, ndërsa pasnesër në azil, teksa foli për protestën e së shtunës.

“Shtëpitë e tyre nuk arriti ti prishë antiligji, oligarkët hajdutë nuk gjejnë vrimë miu ku të futen dhe Edi Rama, arroganti, fjalëpisti, kryehajduti po bëhet gati t’ia mbathë, nesër në Vlorë, pasnesër në azil. Ky është shembulli konkret i forcës që keni në duar bashkëqytetarët e mi, kurrë nuk mund ta ketë fatin tuaj në dorë asnjë qeveritar, fatin tuaj e keni në dorë ju, e bëni ju”, tha Lulzim Basha.

Kreu i PD u bëri thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e protestës ditën e nesërme. Ai iu tha qytetarëve se të shtunën fati është në dorën e tyre.

“Nesër me 16 shkurt para Kryeministrisë në orën 11 ju keni në dorë të diktoni çdo ndryshim. Nesër vetëm disa qindra familje këtu përballë gjithë shtetit, gjithë policisë, asgjencisë së prokurimit publik, dhjetëra institucioneve të tjera, policisë bashkiake, tatimorëve, prokurorisë së papërgjegjshme. Nesër fatin tuaj nuk e ka më në dorë një bandë që ka ardhur me votat e krimit, nuk do ta kenë në dorë Ministrat hajdutë, Ministra injorantë dhe të korruptuar. Të jemi bashkë në pjesëmarrjen më të madhe popullore dhe qytetare. Nesër është radha që njerëzit e drejtë, punëtorë dhe të ndershëm të këtij vendi të rrethojnë të keqen, të rrethojnë hajdutërinë, padrejtësinë, arrogancën dhe t’ia numërojnë fluskat e fundit të oksigjenit kësaj të keqeje për t’i hapur Shqipërisë rrugën e një vendi normal Europian”, u shpreh Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN